Gjatë një aksoni të Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës për identifikimin dhe luftimin e rasteve të shitjes së mallit që ka hyrë nëpërmjet rrugëve ilegale dhe pa dekleracion, janë konfiskuar mallra të ndryshme ushqimore në vlerë prej 2 mijë e 471 eurosh. Ky aksion ka zgjatur prej 20 gushtit deri me 6 shtator të këtij viti dhe në të kanë qenë të përfshirë inspektorë të sektoreve të ndryshme. Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Lulzim Zeqiri, tha se ky aksion është ndërmarrë me qëllim të mbrojtjes së konkurrencës si dhe për luftimin e ekonomisë informale në tregun e Republikës së Kosovës. “Në të gjitha subjektet ekonomike ku është hasur një veprim në kundërshtim me Ligjin për tregti të brendshme është konfiskuar malli”, tha ai. Drejtori Zeqiri thekson se gjatë këtij aksioni janë inspektuar 114 subjekte tregtare dhe hoteliere, gjatë orarit të ditës dhe të natës, ku në 35 subjekte janë gjetur mallra që janë futur ilegalisht dhe nuk kanë pasur dekleracion. Ai sqaron se janë konfiskuar 295 copë pashteta “Argeta”, 549 litra pije të gazuara “Coca cola”, 572 litra pije të gazuara “Fanta”, 619 litra pije “Bravo”, 14 kg çokollada “Millka”, 363 copë gulasha të konservuar, 707 supa “Podravka”, 213 pije “Red Bull” dhe 147 copë keqapë dhe majonezë. Ai tregon se mallrat që janë konfiskuar nëpër këto subjekte që nuk kanë pasur dekleracion, megjithëse ato pasur afat përdorimi u janë shpërndarë banorëve të veriut. “Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me koordinatorin e Strategjisë për veriun, Ylber Hysa, ka shpërndarë ndihma në 58 familje që jetojnë në veri të qytetit, me qëllim që sado pak t’u ndihmohet për Festën e Bajramit”, tha drejtori Zeqiri.