Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati ka pritur të enjten në një takim anëtarët e ansamblit të këngëve dhe valleve “Rexhep Mitrovica”, të cilët i ka përgëzuar për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në Festivalin ndërkombëtar të artit dhe kulturës në Inegol të Turqisë. Ai i ka inkurajuar anëtarët e këtij ansambli për të vazhduar punën e tyre me përkushtim ashtu sikur deri me tani që ka sjellë edhe rezultate. Poashtu ai ka premtuar mbështetje për nevojat e këtij ansambli në mënyrë që ata të jenë sa më të motivuar dhe paraqitjet e tyre të jenë sa më dinjitoze si brenda ashtu edhe jashtë vendit. “Ju gjatë këtyre viteve keni bërë një punë të mirë, duke nisur që nga koreografi Haki Shkreli dhe gjithë anëtarët tjerë të ansamblit. Ju keni prezantuar Mitrovicën dhe në raste të veçanta edhe Kosovën me sukses, andaj meritoni përkrahje”.
Në anën tjetër, koreografi i ansamblit, Haki Shkreli, ka falënderuar kryetarin për mbështetjen dhe ka premtuar angazhim shtesë që paraqitjet e tyre të jenë sa më profesionale. Ai ka thënë do të duhej që të investohej më tepër për sigurimin e kostumeve origjinale dhe kushteve për punë.