Komiteti Lokal për Siguri Publike i Komunës, që përbëhet nga përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë vlerësuan të hënën në takimin e rregullt se gjendja e përgjithshme në komunë, edhe përkundër faktit se ka pas disa incidente të vogla, gjatë dy javëve të fundit, ka qenë e qetë.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se gjatë kësaj periode ka vazhduar relaksimi i mëtutjeshëm i gjendjes, ngase nuk është shënuar asnjë incident i rëndë që do të ndikonte në përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në komunë, duke shtuar sërish se kjo para së gjithash është meritë e qytetarëve të komunës, të të gjitha përkatësive etnike, të cilët gjithnjë e më shumë po e bëjnë të çartë se janë për rend, qetësi dhe paqe dhe se problemet mund të tejkalohen me dialog e mirëkuptim.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka thënë se protesta e qytetarëve serbë pas vendimit të GJND-së se Pavarësia e Kosovës nuk e ka shkel në asnjë mënyrë ligjin ndërkombëtarë, nuk ka qenë masovike, ka zgjatë vetëm për pak minuta dhe nuk është shënuar asnjë incident, gjë që flet se pjesa dërrmuese e serbëve që jetojnë në veri të Mitrovicës e vendit, janë pajtuar me realitetin e ri në Kosovë dhe pritet integrimi i tyre më i shpejtë në këtë realitet.
Bala ka njoftuar se gjatë kësaj periode kohore janë shënuar dy incidente të vogla në pjesën veriore të qytetit, ku në të dyja rastet është sulmuar nga një shqiptar, nga persona të panjohur, për të cilët në bazë të deklaratave të viktimave dyshohet se janë të përkatësisë etnike serbe.
Edhe në këtë takim, komandanti i stacionit jugor të policisë, kapiteni Bashkim Spahiu, ka thënë se është shtuar shqetësimi për shkak të shtënave të shpeshtuara nëpër dasma e ahengje të ndryshme dhe pakënaqësia e qytetarëve për shkak të këtyre të shtënave, të cilët kërkojnë nga organet e rendit që të ndërmarrin masa ndaj të gjithë atyre që me të shtëna e prishin rendin dhe qetësinë publike dhe që e rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Spahiu i ka njoftuar të pranishmit në takim se Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës, gjatë kësaj periode kohore ka kontrolluar disa persona, tek të cilët ka identifikuar gjashtë armë zjarri, të cilat ju janë konfiskuar.
Zyrtari i kësaj Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shefqet Aliu, ka bërë të ditur se kjo drejtori, duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen nga Zjarri ka aprovuar planin e masave kundër zjarreve, pë realizimin e të cilit do të bashkëpunohet ngushtë me të gjithë faktorët e sigurisë që veprojnë në komunë.