Drejtuesit e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit (KNB) në Mitrovicë, që pritet të nis punën në shtator të këtij viti janë duke bërë përgatitjet e fundit që puna e tyre të shkoj sa më mirë. Në këtë drejtim tashmë në këtë institucion arsimor janë regjistruar edhe studentët e parë nga jugu dhe veriu i qytetit. Zyrtarët e KNB-së sqarojnë se deri tani janë regjistruar gjithsej 110 studentë, prej të cilëve 80 në jug dhe 30 në veri të qytetit, ndërkohë që vlera e studimeve për një vit do të jetë 2500 euro. Për të parë ecurinë e përgatitjeve në këtë institucion arsimor të martën ka qëndruar në Mitrovicë, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Enver Hoxhaj, i cili ka shprehur kënaqësinë që edhe në Mitrovicë po ofrohen mundësi të këtilla studimi. “Takimi ynë sot këtu, i përcjellë qytetarëve të Kosovës tri lajme të rëndësishme. Së pari në Mitrovicë të rinjtë mund të studiojnë në kolegjin ndërkombëtar të biznesit, i cili ofron standarde ndërkombëtare, së dyti ky kolegj ofron grada universitare dhe diploma profesionale evropiane, dhe lajmi i tretë i rëndësishëm është se shumë programe të kolegjit plotësojnë kërkesat e ekonomisë dhe shoqërisë së qytetit të Mitrovicës dhe qyteteve përreth”, ka thënë ministri Hoxhaj, gjatë vizitës së tij Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit. Sipas tij, me këtë plotësohet agjenda e Qeverisë për më shumë arsim dhe ndërlidhjet e edukimit me ekonominë shihen në punën konkrete të themelimit dhe funksionalizmit të këtij kolegji. Ai ka ftuar rininë mitrovicase, por edhe të të gjithë vendit, të studiojnë këtu, pasi që edukimi dhe gradat nga këtu do t’ju mundësojnë atyre të kyçen në tregun e punës të Kosovës dhe më gjerë. Në anën tjetër, Paul Sudnik, drejtor i këtij Kolegjit, ka prezantuar punën dhe përgatitjet 6 mujore që janë bërë për fillimin e punës në shtator të këtij viti. Ai ka falënderuar mes tjerash OJQ-në “Spaks” që ka ndihmuar në realizimin e këtij projekti, si dhe Kuvendin Komunal për ndarjen e parcelës për ndërtimin e objektit të ri, i cili do të përfundoj vitin e ardhshëm. Ndërsa kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, ka përshëndetur punën që është bërë deri tani për themelimin e këtij Kolegji si dhe ka përgëzuar të rinjtë që do të aplikojnë, për kushte vërtetë jashtëzakonisht të mira e optimale që do të kenë për studime. Për funksionalizmin e këtij Kolegji ka ndihmuar Qeveria e Kosovës, Suedisë, Danimarkës dhe Norvegjisë.