Pas miratimit të ankesës së kryetarit Bahtiri nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, ku u konstatua se gazetari Shkumbin Kajtazi me shkrimin e publikuar në GazetaMetro ka raportuar të pavërtetën, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka ngritur padi për shpifje dhe fyerje ndaj këtij gazetari.
Sot, zyrtarisht Komuna e Mitrovicës e ka dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, nga e cila është kërkuar që ta zbatoj ligjin për shpifjet e ulëta të bëra ndaj kryetarit Bahtiri, të cilat tashmë janë vërtetuar edhe nga KMShK-ja.
Kryetari Bahtiri ka thënë se askush nuk duhet ta keqkuptoj apo keqinterpretoj, sepse gazetarët i çmoj shumë dhe prej ardhjes time në krye të Mitrovicës kam qenë gjithmonë në dispozicion të tyre për informim të qytetarëve, qoftë edhe kur më kanë kritikuar për diçka që ka mundur të bëhet më mirë. Demokracia s’ka kuptim pa media, por mediat nuk duhet të përdoren për qëllime të këqija.
“Siç e dini, unë në Holandë kam lënë gjithë familjen time dhe kam ardhur për t’i shërbyer Mitrovicës, prandaj asnjëherë në jetën time nuk do të pranoj të kërcënohem e shantazhohem në kërkim të favoreve nga askush”, ka thënë kryetari Bahtiri.