Shkolla e Mesme e Lartë e Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” në Mitrovicë, sot ka shënuar 72 vjetorin e themelimit të saj. Për nder të ditës së shkollës, drejtori, mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle kanë organizuar një program kulturor-artistik si dhe Panairin shkencor.
Në shënimin e kësaj dite ishte i pranishëm drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Iset Beka, zv. ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Sami Zeka, drejtori i shkollës së mesme të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”, Gani Rama, drejtorë të shkollave tjera, nxënës, mësimëdhënës dhe prindër.
Për historikun e shkollës, fillimisht foli drejtori i kësaj shkolle, Gani Rama, i cili ndër të tjera tha se ndonëse shkolla ishte themeluar pas luftës së dytë botërore, vetëm në vitin shkollor 1963/64, për herë të parë në kuadër të kësaj shkolle ishte hapur një paralele në gjuhën shqipe, ndërkaq vetëm pas mbajtjes së protestave është arritur angazhimi i mësimdhënësve shqiptarë.
Po ashtu ai shprehu mirënjohjen e tij dhe falënderoj në emër të stafit të shkollës dhe nxënësve gjestin human të Dr. Abdylit, i cili ka dhuruar një karrige të re stomatologjike për kabinetin e profilit të stomatologjisë në shkollën e tyre, duke thënë që këto pajisje shkollore të shkojnë në dobi të nxënësve të kësaj shkolle, dhe sukseset e nxënësve të shënojnë akoma më shumë rritje.
Në emër të strukturave komunale, të pranishmit i përshëndeti, drejtori i Arsimit, Iset Beka, dhe i uroj mësimdhënësit dhe nxënësit për ditën e shkollës së tyre.
Ai fillimisht tha se ndjehet shumë i lumtur dhe i nderuar që gjendet në mesin e nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës për të shënuar Ditën e Shkollës, që mbanë emrin e njërit nga mjekët më të mirë i të gjitha kohërave në Kosovë, edukuesit dhe arsimuesit të shkëlqyeshëm të brezave të rinj në fushën e mjekësisë dhe atdhetarit të devotshëm, Xheladin Deda.
“Falë përkushtimit të madh të mjekëve dhe mësimdhënësve tjerë, nga kjo shkollë, ku mësimet i ndjeknin edhe nxënësit e komunave tjera, të rajonit e më gjerë, kanë dalë kuadro të shumta që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shëndetësisë në komunë e më gjerë dhe sidomos në mbrojtjen e shëndetit të popullatës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Prandaj, të nderuar nxënës dhe mësimdhënës, ju duhet të ndjeheni krenarë që jeni pjesë e kësaj shkolle dhe sidomos për faktin që shkolla mbanë emrin e të madhit mjek e atdhetarit Xheladin Deda”, tha drejtori Beka.
Ai në vazhdim premtoj se komuna edhe në të ardhmen do të vazhdoj të mbështet këtë shkollë duke u përpjekur kështu më shumë për të përmirësuar akoma cilësinë e mësimit dhe për të vazhduar përgatitjen e kuadrove të afta e profesionale që i duhen shoqërisë dhe shtetit tonë.
Për nderë të Ditës së Shkollës, nxënësit e shkollës, shfaqën një program të pasur kulturo-artistik, ndërsa që pas përfundimit të programit, të pranishmit patën mundësi të shohin Panairin shkencor të përgatitur nga personeli dhe nxënësit e kësaj shkolle.