Drejtuar nga nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, ku janë diskutuar disa pika të rendit të ditës, që janë me interes për qytetarët e komunës së Mitrovicës.
Fillimisht drejtori i Financave, Shukri Gashi, lidhur me inkasimin e të hyrave vetanake për tre mujorin e parë të vitit 2019 theksoi se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka shënuar rritje prej 23,26 %, ndërsa sipas planifikimit rritja është shënuar 92,65 %. Me këtë rast drejtori Gashi, falënderoi Drejtorinë e Urbanizmit e cila ka arritur të siguroj inkasimin më të madh të të hyrave, si dhe kërkoi edhe nga drejtorët tjerë të përkushtohen maksimalisht që në gjashtëmujorin e parë të këtij viti planifikimi të arrihet në 100 %.
Po ashtu drejtori Gashi, njoftoi ekzekutivin rreth Panairit të Punës për vitin 2019 i cili është mbajtur në gjashtë qytete të Kosovës, përfshirë këtu edhe komunën e Mitrovicës, me ç’rast Zyra Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) e ka vlerësuar Mitrovicën si më të suksesshme në këtë panair, me rreth 500 vende pune dhe 782 aplikacione të plotësuara nga qytetarët.
Ndërsa drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, tha se edhe gjatë këtij vikendi inspektorët komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë inspektuar subjektet afariste lidhur me vendimin për respektimin e orarit të punës. Ai po ashtu tha se vendimi i kryetarit Bahtiri që dita e diele të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset në Mitrovicë është duke u respektuar në përpikëri.