Bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale Nr.03/L-040 dhe Statutin e Komunës, Kryetari i Komunës, Bedri Hamza, ka mbajtur takimin publik me qytetarë për vitin 2021.
Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve të qytetit, përfaqësues të organizatave rinore, shoqërive civile si dhe qytetarë të tjerë.
Në fjalën e ti, kryetari Hamza fillimisht ka përshëndetur të pranishmit duke theksuar se është mirënjohës ndaj të gjithë qytetarëve për votën dhe besimin e dhënë që të jetë në krye të komunës së Mitrovicës duke u zotuar se do të punojë me përgjegjësi të plotë për të gjithë qytetarët pa dallime etnike dhe partiake.
‘Besimi i mitrovicasve është i shenjtë për mua dhe do të bëj çmos që kurrë të mos zhgënjehen. Unë dhe ekipi im me vendosmëri dhe përgjegjësisë institucionale do t’i mbroj interesat e juaja dhe të komunës sonë duke siguruar llogaridhënie dhe transparencë të plotë ”, theksoj kryetari Hamza.
Më tutje kryetari Hamza ka shtuar se aktualisht komuna sa i përket gjendjes financiarë nuk qëndron mirë, ndonëse një gjendje të tillë nuk e ka pritur, ku obligimet e papaguara janë afër 4 milion euro ndërsa nëse përfshihen edhe obligimet tjera nga proceset gjyqësore borxhet e papaguar arrijnë vlerën deri në 10 milion euro.
Gjatë këtij takimi kryetari Hamza, ka prezantuar edhe drejtorët e drejtorive komunale, duke i vlerësuar për integritetin e tyre dhe përgatitjen e duhur profesionale.
Të pranishmit në takim, kanë uruar kryetarin Hamza në marrjen e detyrës për të udhëhequr me Komunën e Mitrovicës me dëshirën që projektet e parapara nga planprogrami të realizohen nga qeverisja lokale.
Po ashtu nga ana e qytetarëve janë parashtruar pyetje dhe janë adresuar kërkesa të cilat kryesisht kishin të bënë për lehtësimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në Mitrovicë.
Ndërsa të gjitha pyetjeve dhe kërkesave të qytetarëve ju është përgjigjur, kryetari i komunës, Bedri Hamza.