Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Safet Kamberi, së bashku me Drejtorin për Zhvillim Ekonomik, Turizëm dhe Integrime Evropiane, Gani Rrustemi, pritën në një takim përfaqësuesit e Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i saj, Hysen Sogojeva.
Gjatë këtij takimi u diskutua për zhvillimin e sektorit të turizmit në Komunën e Mitrovicës, me theks të veçantë në potencialin turistik të rajonit të Shalës së Bajgorës. Një fokus i rëndësishëm i bisedës ishte organizimi i aktivitetit tradicional, tashmë të përvitshëm, i cili këtë vit do të mbahet më 16 maj 2026.
Qëllimi i këtij aktiviteti është sensibilizimi i opinionit publik dhe promovimi i mundësive për zhvillimin turistik, ekonomik dhe kulturor të rajonit të Shalës së Bajgorës, si një nga zonat me potencial të madh për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Pjesëmarrësit në takim u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta, me synim promovimin e vlerave natyrore dhe turistike që ofron Komuna e Mitrovicës.