Në nderim të sakrificës për çlirim, ai bëri homazhe pranë shtatores së tij, së bashku me vëllain Haxhiun, nipin Mërgimin dhe familjarë të tjerë.
Ai theksoi se një prej figurave më emblematike të UÇK-së është Shemsi Ahmeti nga fshati Zasell, i shquar në fushën e artilerisë, me bagazh akademik të eprorit ushtarak dhe strateg i dëshmuar në shumë beteja kundër qëllimeve pushtuese të Serbisë, si gjatë luftës serbo-kroate, ashtu edhe në Kosovë.
Sipas tij, personaliteti i Komandant Shemit u formësua nga trimëria, atdhedashuria dhe vizioni për çlirimin e vendit, bashkë me ekspertizën ushtarake që zotëronte. Ai shtoi se inkuadrimin në UÇK e nisi si komandant i kompanisë në Brigadën 141, për të vazhduar më pas në pozitën e komandantit të njësisë speciale në Zonën Operative të Shalës.
Më tej, ai nënvizoi se Komandant Shemi u përfshi në aksionet guerile që i paraprinë luftës frontale për 46 ditë me radhë në Trepçali, Shkëmbi i Bletës, Melenicë, Lagja e Cenajve dhe Majdan, deri në momentin e rënies heroike në Betejën e Majdanit, më 26 prill 1999.
Në fund, kryetari Peci shprehu nderim të thellë: Lavdi jetës dhe veprës së heroit tonë kombëtar, Komandant Shemit!