Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit kombëtar Safet Peci Boletini, në 27-vjetorin e rënies së tij heroike.
Në një postim përkujtimor, Peci e vlerësoi figurën e Komandant Tigrit si simbol të guximit, atdhedashurisë dhe përkushtimit për lirinë e Kosovës. Ai kujtoi se Safet Boletini u kthye nga mërgimi për t’iu bashkuar luftës çlirimtare, duke u rreshtuar në radhët e UÇK-së për t’i dalë zot atdheut në kohët më të vështira.
“Gjyshja ime ia la emrin Safet, e Kosova ia la emrin hero”, shkroi Peci, duke theksuar se heroi mitrovicas u dallua për shpirtin luftarak, vizionin e intelektualit dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare.
Kryetari rikujtoi edhe amanetin e tij të fundit drejtuar nënës Nafi: “Mu m’ki për luftë e dy djemtë tjerë për liri”, fjalë që, sipas tij, mishërojnë sakrificën dhe idealin për lirinë e Kosovës.
Homazhet u zhvilluan në praninë e familjarëve, bashkëluftëtarëve dhe qytetarëve, të cilët nderuan jetën dhe veprën e njërit prej heronjve të luftës çlirimtare.
Lavdi heroit Safet Peci Boletini dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!