Drejtoria për Buxhet dhe Financa ka mbajtur dëgjimin e gjashtë dhe të fundit buxhetor në kuadër të procesit të planifikimit të buxhetit për vitin 2027, si dhe për planifikimet afatmesme për vitet 2028/2029.
Në këtë dëgjim buxhetor morën pjesë Drejtori për Buxhet dhe Financa, Gazmend Gjoshaj, Drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja, drejtoreshat Fitore Mehmeti dhe Remzije Tmava Tupella, zyrtarë komunalë, si dhe kryetarët e Këshillave të Fshatrave dhe Lagjeve.
Zyrtari kryesor financiar, Zenel Çitaku, ka shpalosur buxhetin e Komunës së Mitrovicës për vitin 2027, i cili potencoi se është planifikuar në vlerë prej 34,045,130 euro.
Ai më tutje ka shtuar se kategoria ekonomike paga dhe mëditje do të jetë në shumën 18,950,980 euro, mallra dhe shërbime prej 5,100,000 euro, shpenzime komunale 700,000 euro, subvencione dhe transfere 1,294,150 euro dhe investime kapitale 8,000,000 euro.
Gjatë takimit, Kryetarët e Këshillave të Fshatrave dhe Lagjeve kanë bërë propozime dhe kërkesa konkrete për nevojat prioritare që lidhen me infrastrukturën, shërbimet publike dhe projektet zhvillimore në lokalitetet e tyre.
Drejtorët komunalë kanë regjistruar kërkesat e qytetarëve dhe kanë dhënë sqarime për mundësinë e përfshirjes së projekteve të propozuara në buxhetin e Komunës për vitin 2027.








