Nënkryetari Osmani, së bashku me zëdhënësin e Komunës Shkëlzen Haliti, janë mirëpritur në takim nga kryesuesi i bordit, Ilir Parduzi dhe u.d. kryeshefja e kësaj ndërmarrjeje, Blerta Çeliku.
Sipas nënkryetarit Osmani, gjendja aktuale është rezultat i keqmenaxhimit, nivelit të ulët të arkëtimit të të hyrave, mospërmbushjes së obligimeve financiare nga operatorët, si dhe rritjes së shpenzimeve operative, përfshirë edhe tejkalimin e numrit të të punësuarve.
Për përmirësimin e gjendjes, tashmë janë ndërmarrë një sërë veprimesh konkrete, me fokus në rritjen e arkëtimit të të hyrave dhe forcimin e disiplinës financiare në menaxhimin e shpenzimeve.
Po ashtu, është paralajmëruar rishikimi i kontratave me operatorët që nuk i kanë përmbushur obligimet kontraktuale, ndërsa procesi i funksionalizimit të laurave pritet të përfundojë gjatë javës së ardhshme.
Nënkryetari Osmani ka theksuar se Komuna e Mitrovicës mbetet e angazhuar për rimëkëmbjen dhe funksionalizimin e ndërmarrjes, me synimin që “Stacioni i Autobusëve” të shndërrohet në një ndërmarrje financiarisht të qëndrueshme dhe të ofrojë shërbime më cilësore për qytetarët.









