Sot është mbajtur marshi tradicional në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, me qëllim të promovimit të diagnostikimit të hershëm, parandalimit dhe mbështetjes për gratë që përballen me këtë sëmundje.
Marshi u organizua nga Drejtoria për Shëndetësi, në bashkëpunim me Grupin e Grave Asambliste, QKMF-në “Dr. Nexhat Çuni” dhe institucionet e organizatat që veprojnë në Mitrovicë.
Në aktivitet morën pjesë Kryetari i Komunës, Faton Peci, Nënkryetari Enis Osmani, Drejtoresha e Shëndetësisë, Albina Rama, drejtorë komunalë, përfaqësues institucionalë, organizata joqeveritare, si dhe nxënës dhe personel arsimor.
Kryetari i Komunës, Faton Peci, theksoi rëndësinë e mbështetjes për gratë që përballen me kancerin e gjirit, duke nënvizuar se Komuna qëndron pranë tyre edhe përmes mbështetjes financiare për personat e diagnostikuar me këtë sëmundje.
Drejtoresha e Shëndetësisë, Albina Rama, nënvizoi se ndërgjegjësimi synon të rrisë informimin për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e sëmundjes, si dhe mbështetjen për gratë që po përballen me të.
Një fjalë rasti mbajti edhe një grua që ka mposhtur kancerin e gjirit, duke ndarë përvojën e saj dhe duke përcjellë mesazhe shprese e kuraje për gratë që po kalojnë nëpër këtë sfidë.
Marshi nisi nga objekti i Komunës së Mitrovicës, vazhdoi në sheshet “Isa Boletini” dhe “Mehë Uka”, ndërsa përfundoi në sheshin “Adem Jashari”.