Drejtoria e Inspektoratit në Mitrovicë, në bashkëpunim me inspektorët e Shërbimeve Publike dhe me asistimin e Policisë, ka ndërmarrë sot një aksion për lirimin e hapësirave publike në rrugën “Avni Shabani”, konkretisht në Qendrën Zejtare të qytetit.
Sipas drejtorit të Inspektoratit, Muje Igrishta, aksioni kishte për qëllim lirimin e hapësirave publike që shfrytëzoheshin në mënyrë të kundërligjshme nga lokale ku dyshohet se zhvillohen veprimtari të kundërligjshme.
Përmes këtij aksioni, institucionet komunale iu janë përgjigjur kërkesave të banorëve të zonës, të cilët kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për garantimin e rendit, sigurisë dhe lirisë së lëvizjes.
Drejtori Igrishta ka bërë të ditur se aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në bashkëpunim me institucionet kompetente të nivelit lokal dhe qendror, me qëllim parandalimin dhe ndalimin e veprimtarive që cenojnë lirinë e banorëve dhe kalimtarëve.
“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin! Ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë, pa përjashtime dhe pa privilegj”, ka theksuar Igrishta.

