Nën udhëheqjen e nënkryetarit të komunës, Faruk Mujka, është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të drejtorëve, në të cilën u shqyrtuan çështje nga fushëveprimi i drejtorive të administratës komunale. Në takim ishin të pranishëm të gjithë drejtorët e komunës së Mitrovicës.
Në mbledhjen e sotme të bordit janë diskutuar këto pika të rendit të ditës: Informatë nga takimi me ekipin e projektit “ Krijimi i Shoqatave të ndërtesave të banimit ne bashkëpronësi”; Raporti vjetor i shpenzimeve të veturave për vitin 2017; Informatë lidhur me bashkëpunimin e DIEMS dhe organizates ‘Islamic Reilef Kosova” lidhur me shpërndarjen e 150 pakove ushqimore familjeve në nevoje dhe përfitimi i gjashtë familjeve për kultivimin e mjedrave;Sigurimi, kontrata e tyre dhe shpallja e tenderit, Regjistrimi i veturave, skadimi i tyre dhe kontratat me ELSIG si dhe Aplikimi i Rregullores MF-NR. 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve.
Fillimisht drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Sami Zeka, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me takimin e përbashkët të pronarëve të banesave kolektive ku do te krijohen Shoqatat e Pronarëve (SHP‐ve) të Ndërtesave të banimit në bashkëpronësi.
Në kuadër të këtij projekti, komuna e Mitrovicës është zotuar për të ndërmarrë hapa proaktivë në inkurajimin e formimit të Shoqatave të pronarëve në mënyrë që ato të mund të angazhohen për të ndërmarrë masat për Efiçiencë të Energjisë në ndërtesat e tyre, e gjitha kjo me qëllim përmirësimin e komoditetit dhe kursimit të energjisë.
Në anën tjetër Hysen Muzliukaj, drejtor i Administratës ka bërë të ditur që është e nevojshme që të bëhet edhe një selektim i veturave të cilat shpenzojnë sasi të mëdha të derivateve andaj u kërkua që zyrtarët komunal ti shfrytëzojnë ato vetura që janë më efqiente dhe që rezultojnë me shpenzime me të ulëta të derivateve.
Në këtë mbledhje Nazan Kërveshi, drejtoresh e Integrimeve Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, njoftoi drejtorët komunal për aktivitetet që i ka zhvilluar kjo drejtori, më ç’rast ka cituar bashkëpunimin e mirë me organizatën humanitare “Islami Relief Kosova”, e cila po ndihmon familjet skamnore të qytetit të Mitrovicës .
Ndërsa drejtori i DKRS-së, Tafil Peci, ka informuar të pranishmit për përgatitjet që kjo drejtori është duke i bërë më rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, edhe pse aplikimi i Rregullores MF-NR. 04/2017 mbi financimin publik të OJQ-ve, po kërkon kohë edhe angazhim të madhë.