Një grup qytetarësh nga Zhabari janë pritur nga nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, të cilin e kanë informuar për disa probleme me të cilat ata po ballafaqohen në lagjet ku jetojnë dhe të cilat sipas tyre kërkojnë zgjidhje të shpejt.
Përfaqësuesi i qytetarëve, Feriz Ferizi, i tha nënkryetarit Mujka se ka disa dekada që ata ballafaqohen me problemin e kanalizimit dhe të një kanali që shërben për bartjen e tepricës së ujit të kanalit Ibër Lepenc, por që pas lufte ky problem është thelluar.
Ferizi tha se nga kanali i lartpërmendur, në të cilin derdhen edhe kanalizimet e shumta të shtëpive, vazhdimisht dalin ujërat, kryesisht ato të kanalizimeve dhe i vërshojnë rrugët, kopshtijet dhe pronat tjera, të cilat dëmtohen tej mase.
“Në pjesën ku jetojmë rreth 100 familje, jeta na është vështirësuar nga uji dhe kanalizimet. Rrugët janë të mbyllura dhe vetëm me cime mund të kalohet nëpër to, kopshtijet dëmtohen tërësisht ngase vazhdimisht janë nën ujë, edhe pronat tjera, po ashtu na dëmtohen. Ne po kërkojmë ndihmën tuaj që t’i tejkalojmë më në fund këto telashe shumë të mëdha për ne”, tha përfaqësuesi i qytetarëve të Zhabrit, Feiz Ferizi.
Nënkryetari Mujka, tha se i kupton problemet, shqetësimet dhe kërkesat e tyre dhe se Komuna disa herë ka intervenuar në atë lagje, por si duket problemet nuk janë tejkaluar, andaj kësaj radhe do të bëj gjithçka që është e mundur që problemet të zgjidhen,
Për të parë nga afër se ku janë problemet dhe pengesat kryesore, nënkryetari Mujka, ju tha qytetarëve se të premten (nesër) në ora 10:00, do të dal në vendin e ngjarjes bashkë me drejtorin për infrastrukturë dhe atë për kadastër të Komunës, të cilët pastaj do të marrin masa konkrete për zgjidhjen e problemeve.