Kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Drejtorisë për Planifikim dhe Urbanizëm, Sami Zeka, kanë pritur në një takim pronarët e bizneseve përfituese të pronës komunale në Zonën Industriale në Frashër. Në takim është biseduar për gjendjen e infrastrukturës dhe çështjet tjera me rëndësi lidhur me funksionalizmin e kësaj zone.
Kryetari Bahtiri, ju tha pronarëve të bizneseve përfituese, se i ka ftuar në takim për të vlerësuar gjendjen reale në hapësirën e Zonës Industriale, për të mësuar nga ata se ku qëndrojnë me investimet e premtuara për realizim në tokën komunale që iu është dhënë nga komuna, si dhe për të parë se cilat janë pengesat apo problemet eventuale dhe çka mund të bëjë komuna për ta.
“Unë sa i përket obligimeve të komunës lidhur me Zonën Industriale, mund të ju se kemi punuar mjaft dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale që ato t’i kryejmë sa më shpejtë. Deri më tani në zonë e kemi sjellë rrymën elektrike, këto ditë do ta sjellim edhe ujin, një pjesë e rrugës është asfaltuar, ndërsa që do të asfaltojmë edhe tërë rrugën përreth hapësirës ku do të vendosen bizneset”, tha kryetari Bahtiri.
Ai në vazhdim i njoftoj biznesmenët se është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, për të gjetur fonde për rrumbullakimin e infrastrukturës në këtë zonë.
”Jam i bindur se projekti i Zonës Industriale në Frashër do të përfundojë në tërësi në vitin 2019”, tha kryetari Bahtiri.
Në vazhdim, pronarët e bizneseve që kanë përfituar tokë komunale në Zonën Industriale prej 47 hektarësh në Frashër, i folën kryetarit Bahtiri dhe drejtorit Zeka për projektet e tyre që i kanë parapa t’i realizojnë aty. Që të gjithë të pranishmit thanë se do t’i realizojnë ato dhe se për këtë i kanë siguruar mjetet financiare.
Madje disa sish treguan se tashmë i kanë filluar punimet për ndërtimin e objekteve, ndërsa që të tjerët thanë se do t’i fillojnë ato në gusht apo më së largu në fillim të shtatorit të këtij viti.
Kryetari Bahtiri mirëpriti deklarimet e biznesmenëve se do t’i realizojnë projektet në bazë të të cilave edhe kanë përfituar pronë komunale, por ju bëri me dije se nëse nuk i mbajnë premtimet, atëherë toka komunale do tu merret.