Kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, së bashku me nënkryetarin e komunës, z. Arian Tahiri, drejtor komunal, të shoqëruar nga familjarë, sot kanë nderuar heroin e kombit, Artim Jashari, me rastin e 27 vjetorit të rënies së tij tek sheshi “Artim Jashari” (afër Stacionit të Autobusëve), në Mitrovicë.
Më 6 maj 1998, në Mitrovicë, shkrepjet e armëve bënë jehonë në të gjithë Kosovën. Afër stacionit të autobusëve, mbetën të vrarë tre policë serbë.
Qyteti u zgjua nga tingujt e makinave të policisë. Pak mund ta dinin se aksionin kundër policisë serbe e kishte realizuar një djalë i ri nga Prekazi i Adem Jasharit, Artim Jashari.
Në shenjë nderimi dhe kujtimi për veprën heroike të heroit Artim Jashari, u bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh tek lapidari i Artim Jasharit dhe tek varri i tij në varrezat e dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës.