Sot është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Mitrovicë, e udhëhequr nga drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, z. Bahtir Maxhuni.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Stacionit Jugor të Policisë, përfaqësues të Njësisë së Zjarrfikësve, FSK-së si dhe anëtarë të tjerë të KKSB-së.
Gjatë mbledhjes, u diskutuan një sërë çështjesh të rëndësishme për sigurinë publike, me theks të veçantë në: gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Komunën e Mitrovicës, rrezikun nga zjarret dhe parandalimin e tyre, sigurinë në trafik, si dhe rrezikun e paraqitur nga qentë endacak në hapësirat publike.
Në fund të mbledhjes, KKSB bëri një apel të veçantë drejtuar qytetarëve që frekuentojnë zonat malore për piknik apo rekreacion, që të kenë kujdes maksimal gjatë ndezjes së zjarreve dhe të respektojnë udhëzimet për mbrojtje nga zjarret, për të shmangur rrezikun e përhapjes së flakëve dhe dëmtimin e mjedisit.