Në parkun e qytetit të Mitrovicës mbrëmë u bë hapja spektakolare e edicionit të sivjetëm të festivalit “Mitrovica International Jazz Days”.
Në hapjen zyrtare i pranishëm ishte kryetari i komunës, Bedri Hamza, përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, si dhe qytetarë që kishin mbushur hapësirën për të përjetuar atmosferën unike të këtij eventi.
Festivali organizohet nga këngëtarja dhe producentja e njohur Rona Nishliu, dhe do të zgjasë për dy netë me radhë, nga 8 deri më 10 gusht. Gjatë këtyre netëve do të performojnë artistë të njohur nga bota, rajoni dhe vendi.
Kombinimi i talenteve ndërkombëtare me ato vendore premton të krijojë një atmosferë të jashtëzakonshme, ku muzika jazz do të shndërrohet në një urë lidhëse mes kulturave, emocioneve dhe njerëzve.