Në kuadër të shënimit të Javës Botërore të Ushqyerjes me Qumësht Gjiri, e cila këtë vit mbahet nën moton globale për përkrahjen dhe promovimin e gjidhënies, Njësia për Edukim Shëndetësor, Këshillim dhe Promovim të Shëndetit pranë QKMF-së në Mitrovicë ka zhvilluar një sërë aktivitetesh edukative dhe informuese me nënat e reja dhe gratë shtatzëna të komunitetit.
Qëllimi i aktiviteteve është që të rritet vetëdija për rëndësinë e gjidhënies si faktor themelor për shëndetin e nënës dhe fëmijës, dhe të ofrohet mbështetje profesionale për praktikat e suksesshme të ushqyerjes me gji.
Aktivitetet kryesore të zhvilluara përfshinë:
Këshillim individual mbi teknikat e duhura të gjidhënies;
Demonstrime praktike me ndihmën e modeleve edukative (kukulla foshnje);
Informim i detajuar mbi përfitimet e gjidhënies për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës;
Shpërndarje të materialeve edukative për pjesëmarrëset.
Këto aktivitete janë pjesë e angazhimit tonë për:
Promovimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës në nivel komunitar;
Rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi përfitimet e gjidhënies;
Ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme për nënat që zgjedhin të ushqejnë me gji.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës, z. Fahri Shabani, theksoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve duke deklaruar:
“Vetëdijësimi i nënave të reja për rëndësinë e madhe që ka ushqyerja e foshnjave me qumështin e gjirit, përbën themelin për një jetë të shëndetshme të fëmijës. Këto aktivitete edukative janë një hap i rëndësishëm në drejtim të fuqizimit të nënave dhe mbrojtjes së shëndetit publik.”