Kryetari i Komunës së Mitrovicës, z. Faton Peci, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, sot vizituan çerdhen “Gëzimi Ynë” në Mitrovicë.
Ata u pritën me ngrohtësi nga fëmijët dhe stafi i çerdhes, të cilët për nder të vizitës kishin përgatitur dhe shfaqur një program të veçantë artistik, duke krijuar një atmosferë të gëzueshme dhe festive.
Gjatë vizitës, Kryetari Peci dhe Presidentja Osmani u njohën nga afër me kushtet, punën edukative dhe përkushtimin në ofrimin e një ambienti të sigurt dhe të përshtatshëm për fëmijët.
Me këtë rast, ata theksuan rëndësinë e investimeve në edukimin e hershëm dhe përkrahjen institucionale për çerdhet publike, si bazë e zhvillimit të shëndoshë të fëmijëve dhe ndërtimit të së ardhmes së vendit.
Më tutje, Kryetari Faton Peci së bashku me Presidenten Vjosa Osmani zhvilluan edhe disa vizita tjera në qytet, duke u ndalur për kafe në sheshin e Mitrovicës me sportistet dhe sportistët e KB Trepça, si në konkurrencën e femrave ashtu edhe të meshkujve, ku u diskutua për sukseset, sfidat dhe rëndësinë e sportit për rininë dhe komunitetin.
Po ashtu, ata vizituan biznesin “Maestro Food”, një shembull i fuqizimit ekonomik dhe rolit të gruas në tregun e punës, ku rreth 90% e të punësuarve janë gra, duke vlerësuar kontributin e tyre dhe duke theksuar mbështetjen institucionale për ndërmarrësi dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.