Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë lumit Ibër, u mbajt mbledhje komemorative në nderim të Adem Beqirit, njërit prej intelektualëve të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, nënkryetari Enis Osmani, u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, zëvendëskryeministrja e dytë dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues politikë të nivelit lokal, intelektualë, familjarë dhe qytetarë të shumtë.
Fjalën kryesore në këtë mbledhje komemorative e mbajti kryetari i komunës, Faton Peci, i cili theksoi se, pas 27 vitesh pritjeje, dhimbjeje dhe shprese, familjet e Adem Beqirit, Idriz Rrecajt dhe Salih Mëziut më në fund do të kenë një vend ku mund të vendosin një lule mbi varret e më të dashurve të tyre.
“Jemi këtu pas 27 vitesh pritjeje, dhimbjeje dhe shprese, tash kur familjet e Adem Beqirit, Idriz Rrecajt e Salih Mëziut më në fund do të kenë një vend ku mund të vendosin një lule mbi varr”, u shpreh kryetari Faton Peci.
Ai vlerësoi rëndësinë historike të Mitrovicës, duke theksuar se qyteti ka qenë ndër vite një pikë me rëndësi strategjike për vendin dhe një hapësirë ku janë përcaktuar momente të rëndësishme të historisë së Kosovës.
“Si kryetar i Komunës së Mitrovicës, kujtimin për ta e ruaj si përgjegjësi institucionale dhe obligim moral. Lavdi jetës dhe veprës së Adem Beqirit, Idriz Rrecajt dhe Salih Mëziut”, theksoi kryetari Faton Peci.
Në këtë ceremoni u vlerësua edhe figura dhe kontributi i Adem Beqirit, si dhe rëndësia e ruajtjes së kujtesës kolektive dhe respektit institucional ndaj personave të zhdukur gjatë luftës dhe familjeve të tyre.
Fjalë rasti mbajti edhe u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila shprehu respektin dhe solidaritetin institucional me familjen Beqiri, duke vlerësuar rëndësinë e këtij momenti përkujtimor.
Mbledhja komemorative përfundoi me fjalën e Aulona Beqirit, mbesës së Adem Beqirit, e cila falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe nderimin e kujtimit të gjyshit të saj.
Ajo foli për dhimbjen dhe pritjen e gjatë të familjes ndër vite, si dhe për emocionet e veçanta që solli gjetja dhe identifikimi i eshtrave të Adem Beqirit.
Për familjen Beqiri, ky moment, përkundër dhimbjes së madhe, solli edhe një ndjenjë qetësie shpirtërore, pasi pas shumë vitesh pritjeje u mundësua që i ndjeri të prehet në vendin e tij dhe familja ta kujtojë e ta nderojë me dinjitet.