Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani, ka pritur në takim basketbollistët e “Trepçës”, të cilët e fituan kampionatin e sivjetmë të Kosovës si dhe futbollistët e “Trepçës ‘89”, të cilët e fituan Kupën e Republikës së Kosovës. Kryetari Kastrati, i uroi lojtarët, tifozët dhe kryesitë e të dyja klubeve për suksesin e arritur, duke i cilësuar ata si krenaria e Mitrovicës. Në takimet ndaras që ka zhvilluar me këto dy ekipe, ai ka premtuar se Komuna e Mitrovicës do të investoj në përmirësimin e kushteve për zhvillimin e aktiviteteve sportive. Tha se ka edhe mbështetjen e madhe të institucioneve qendrore dhe donatorëve të huaj.
Në këtë kontekst, kryetari Kastrati, përmendi mbështetjen e Komisionit Evropian për ndërtimin e një fushe ndihmëse të futbollit si dhe për rinovimin e stadiumit olimpik “Adem Jashari”. Ndërsa për basketbollistët ceku rinovimin e palestrës minatori, e cila do t’i plotësoj kriteret për FIBA 2.
Në anën tjetër, sportistët falënderuan kryetarin dhe gjithë stafin e tij për mbështetjen e pakursyer. Premtuan angazhim që edhe në të ardhmen të sjellin kupa të fitoreve në Mitrovicë.