Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, bashkë me nënkryetarin Faruk Mujka dhe disa drejtorë të drejtorive komunale, kanë inspektuar punët në ndërtimin e rrugës së lagjes Hasni në Vllahi dhe kanë biseduar me banorët e atyshëm për problemet ndryshme që i preokupojnë ata në jetën e përditshme.
Në emër banorëve të Vllahisë, kryetari i fshatit, Shashivar Begu ka falënderuar kryetarin Bahtiri dhe stafin e tij për mirëkuptimin e treguar për fillimin e ndërtimit të rrugës në lagjen Hasani, në gjatësi prej rreth dy kilometra dhe për gatishmërinë për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve tjera jetike të banorëve, gjë që sipas tij e tregon edhe vizita e kryetarit me bashkëpunëtorët e tij në fshat.
Begu ju tha drejtuesve komunal, se përveç ndërtimit të kësaj rruge, por edhe disa të tjerave në fshat, banorët problem kryesor tani kanë sigurimin e ujit të bollshëm për pije, prandaj edhe kërkoj që të vazhdohet tutje me realizimin e projektit të filluar më parë për këtë qëllim, por që ka mbetur në gjysmë.
“Projekti i ujësjellësit ka mbetur në gjysmë, përkatësisht ka mbetur pa përfunduar rrjeti shpërndarës në fshat dhe stacioni i pompave. Ne po kemi vështirësi për ët siguruar ujë të mjaftueshëm për pije, prandaj do të ishte mirë që ky projekt të përfundoj sa më parë. Edhe përmirësimi i furnizimit me rrymë është prioritet për ne, pasi që po kemi telashe dhe dëme të mëdha nga tensioni i ulët dhe ndërprerjet e shpeshta të rrymës për shkak të vjetërsimit të rrjetit të rrymës ”, tha ai.
Në vazhdim, kryetari i Vllahisë, Begu, tha se në interes të banorëve shqiptarë do të ishte edhe ndërtimi i rrugëve strategjike Vllahi-Zhazhë-Boletin-Mitrovicë që kalon nëpër territorin e komunës së Zveçanit të administruar nga serbët dhe asaj Vllahi-Bistricë-Koshtovë e Vllahisë dhe Cerajë, fshatra këto të banuara vetëm me shqiptarë, por që i takojnë komunës së Leposaviqit, që administrohet po ashtu nga serbët.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, pasi falënderoi vllahiasit për pritje, besim tek institucioni i Komunës dhe gatishmërinë të mirëkuptuar situatën e përgjithshme në Komunës, ju tha atyre se do të bëj përpjekje maksimale që të gjitha kërkesat të realizohen, por që kjo duhet të bëhet sipas përcaktimit të prioriteteve nga vet banorët.
“Edhe gjatë këtij mandati do të vazhdoj që prioritet kryesor të kemi zhvillimin e rajonit të Shalës së Bajgorës, që i takon edhe Vllahia. Juve mund të ju them se rruga që nisi të ndërtohet, sivjet do të punohet vetëm deri në shtrimin e saj me zhavorr, ndërsa që asfaltimi do të bëhet me siguri në vitin e ardhshëm, kur do të përfundoj projekti i ujësjellësit dhe ju më nuk do takeni problem ujin për pije. Por, që situata e furnizimit me ujë të përmirësohet sadopak, në fshatin tuaj sivjet do të hapen katër bunarë, aty ku ju vet do të përcaktoheni”, tha ai.
Ndërsa sa i përket kërkesave për lidhjen e Vlalhisë me fshatrat shqiptare që i takoj në Komunës së Zveçanit dhe asja të Leposaviqit, e që është me interes kombëtarë dhe strategjik, sidomos për banorët shqiptarë që jetojnë në komunat e lartpërmendura, kryetari Bahtiri, tha se i mbështet plotësisht kërkesat.
“Ndërtimi i atyre rrugëve është me rëndësi të jashtëzakonshme, por ato janë projekte që kushtojnë shumë dhe që aktualisht Komuna nuk mund t’i ndërtoj. Mirëpo, do të bisedojmë më institucionet qendrore për mundësinë e realizimit të këtyre rrugëve dhe jam i bindur se në një të ardhme të afërt kjo edhe mund të bëhet realitet”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.