Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, së bashku me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, kanë nënshkruar marrëveshjen e Grantit në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat, me vlerë prej 3.3 milionë eurosh.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe nënkryetari i komunës Enis Osmani.
Sipas kryetarit Peci, ky projekt paraqet një investim të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të banimit për familjet që kanë më së shumti nevojë në Komunën e Mitrovicës.
Ai theksoi se projekti do të përfshijë ndërtimin e 36 njësive të reja të banimit social, renovimin e njësive ekzistuese të banimit social, renovimin e shtëpive private për familjet e cenueshme, si dhe rindërtimin e shtëpive private për familjet e cenueshme.
Kryetari Peci falënderoi ministren Pacolli Dalipi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë, duke theksuar se mirëqenia e qytetarëve mbetet prioritet i qeverisjes lokale në Mitrovicë.