Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se gjatë gjashtë muajve të fundit janë iniciuar dhe kanë marrë rrugë projekte të rëndësishme investive në fushën e sportit, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 4.5 milionë eurosh.
Këto investime dëshmojnë përkushtimin për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve më të mira për sportistët, të rinjtë dhe të gjithë qytetarët e Mitrovicës.
Në kuadër të këtyre investimeve, tashmë janë në shpallje publike dy fusha futbolli, me vlerë prej 2.1 milionë eurosh. Po ashtu, janë paraparë ndërtimi i tri fushave të vogla sportive në Zhabar, Tunel të Parë dhe Bare, me një vlerë prej rreth 500 mijë eurosh.
Investimet përfshijnë gjithashtu ndërtimin e pesë fushave të tenisit dhe dy fushave të padelit, me vlerë të përgjithshme prej rreth 700 mijë eurosh, duke zgjeruar mundësitë për zhvillimin dhe promovimin e sporteve të ndryshme në qytet.
Ndërkaq, deri në fund të këtij viti pritet të shpallet edhe procedura për renovimin e objektit të OMNI Sportit, me një vlerë të paraparë prej rreth 1.2 milionë eurosh.
Kryetari Faton Peci ka shprehur mirënjohjen ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ministrit Blerim Gashani për përkrahjen e dhënë në realizimin e këtyre projekteve me rëndësi për Mitrovicën.
Mitrovica në fokus të zhvillimit, me investime konkrete dhe perspektivë të re për sportin!