Mitrovica ofron kushte shumë të favorshme për Zonën e lirë ekonomike, duke pasur parasysh ekzistimin e hekurudhës si dhe kushteve të tjera të nevojshme për një projekt të tillë që gjeneron zhvillim dhe vende të lira pune. Kjo është përshtypja e drejtorit të zonave të lira ekonomike në Turqi, Nexhmi Ugurllu, pas një vizite që ka zhvilluar në Mitrovicë ku është takuar me drejtues të komunës dhe biznesmenë. Ai theksoi se ka parë hapësirën e menduar për vendosjen e Zonës së lirë ekonomike në fshatin Frashër dhe ka vërejtur se ajo është një vend adekuat, meqë ka infrastrukturën afër të zhvilluar. Si më të rëndësishme ai përmendi hekurudhën dhe rrugët automobilistike. Gjithashtu Ugurllu tha se Mitrovica dhe Kosova në këtë rast paraqet përparësi për investitorët edhe për atë se kanë raporte të mira ekonomike me Evropën dhe SHBA-në. “Duke parë angazhimin e kryetarit të komunës, Avni Kastrati, për këtë projekt kam besim të plotë dhe një gjë e tillë mund të realizohet dhe kjo do ta kthente Mitrovicën në një pikë referimi për investitorët si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës”. Në anën tjetër, kryetari i komunës, Avni Kastrati, që e ka shoqëruar mysafirin nga Turqia gjatë vizitës në Mitrovicë, tha se projekti për Zonën e lirë ekonomike ka qenë një premtim i tij në kohën e fushatës. “Është një projekt i përpunuar mirë dhe tashmë janë bërë edhe hapat e parë sa i përket jetësimit të këtij projekti. Është faza fillestare, por është duke u punuar dhe shihet se ka interesim për një projekt të tillë edhe nga biznesmenët jashtë vendit”.