Drejtoria për Financa dhe Zhvillim Ekonomikë ka përfunduar takimet buxhetore me drejtorët e drejtorive komunale të komunës së Mitrovicës për planifikimin e buxhetit për vitin 2020 si dhe parashikimet për vitet 2021/2022.
Ndërsa gjatë ditës së sotme është mbajt takimi i fundit me Drejtorinë e Shëndetësisë, ku të pranishëm përveç zyrtarëve komunal nga Drejtoria e Financave, e pranishme ishte edhe drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani.
Me këtë rast, Zenel Çitaku, shefi i sektorit për Buxhet dhe Financa, pasi ka prezantuar edhe buxhetin të cilin do ta kenë drejtoritë komunale për vitin e ardhshëm, ka theksuar se është shumë e rëndësishme që të gjitha drejtoritë komunale në buxhetin e tyre të përfshijnë edhe kërkesat e qytetarëve të adresuara gjatë mbajtjes së dëgjimeve buxhetore me qytetarë.
Gjatë javës së ardhshme kjo drejtori do të dërgojë për miratim në KPF dhe në Kuvendin Komunal draft-buxhetin e vitit 2020.
Vlen të theksohet që Komuna e Mitrovicës ka mbajtur gjithsej nëntë dëgjime buxhetore për planifikimin e buxhetit për vitet 2020-2022, në të cilat kanë marrë pjesë qytetarë, përfaqësues të OJQ-ve, shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve dhe grupeve tjera të interesit.