Kryetari i Komunës, Faton Peci, ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Ministrin e Sportit, Blerim Gashani, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtejmë të sportit dhe rinisë në Mitrovicë.
Përmes këtij memorandumi, parashihet realizimi i një sërë projektesh konkrete që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e infrastrukturës sportive në komunë. Ndër projektet kryesore përfshihen ndërtimi i Qendrës Multifunksionale “Omni Sporti”, ndërtimi i fushave të padelit dhe tenisit, poligoni i qitjes në Mazhiq, si dhe ndërtimi i terreneve të tjera sportive.
Kryetari Peci ka shprehur mirënjohjen e tij për Ministrin Gashani për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ofruar, duke theksuar se këto projekte do ta ngrisin jetën sportive në Mitrovicë në nivelin që e meriton dhe do të krijojnë mundësi të reja për të rinjtë dhe komunitetin sportiv.