Përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë janë mbledhur të premten në një takim jo të rregullt të Komitetit të Sigurisë për të shqyrtuar gjendjen dhe organizimin e institucioneve për menaxhimin e situatës në prag të 30 majit, kur janë paralajmëruar që të mbahen zgjedhjet e shtetit fqinj Serbisë, edhe në veri të Kosovës. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka thënë se këto janë zgjedhje ilegale dhe të papranueshme, andaj edhe të zgjedhurit e tyre nuk do të njihen. “Unë si kryetar komune nuk do të bashkëpunoj në asnjë formë me ta”, tha ai, duke shtuar se edhe institucionet ndërkombëtare duhet ta mbajnë një qëndrim të tillë. Kryetari Kastrati ka apeluar tek qytetarët që të jenë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme nga strukturat paralele serbe, të cilat qëllim kryesor e kanë që ta destabilizojnë gjendjen.
Në anën tjetër, ai ka përmendur se pikërisht me 30 maj në Mitrovicë janë paraparë të mbahen edhe disa aktivitete të tjera, për çka nevojitet një bashkëpunim ndërmjet institucioneve në mënyrë që të mos ketë probleme. Në këtë drejtim ai ka cekur protestën e paralajmëruar nga shoqatat e luftës në kundërshtim të zgjedhjeve serbe në veri, mandej një koncert që është organizuar nga UNICEF-i për nder të 1 Qershorit-Ditës së Fëmijëve si dhe festimit të mundshëm të tifozëve të klubit futbollistik “Trepça”, që presin të sigurojnë titullin e kampionit të Republikës së Kosovës pas 18 vitesh.
Ai ka kërkuar që koncerti i paraparë për atë ditë nga UNICEF-i të shtyhet për një ditë tjetër, për shkak të rrethanave të krijuara. Ndërsa për protestën e shoqatave të luftës, Rafet Ibishi, kryetar i shoqatës së veteranëve të luftës së UÇK-së në Mitrovicë, ka thënë se është paraparë që protesta të nis në orën 12:00 në “Sheshin e Jasharëve”, ndërsa më pas protestuesit do të marshojnë në drejtim të sheshit “Isa Boletini”, ndërsa në orën 13:00 parashihet të përfundoj pas disa fjalimeve.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Artan Osmani, ka sqaruar se drejtuesit e klubit futbollistik “Trepça” kanë paraparë që në rast të sigurimit të titullit në orën 20:00 të mbajnë një koncert në sheshin “Mehë Uka”.