Drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, i shoqëruar nga drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku, si dhe drejtoresha për Mirëqenie Sociale dhe Integrime Evropiane, Nazan Këveshi, sot kanë vizituar shkollën e mesme ekonomike “Hasan Prishtina” për të parë nga afër projektin i cili po zhvillohet në kuadër të GIZ-it, në qytetin e Mitrovicës.
Ky projekt ka për synim të rrisë punësimin e të rinjve duke përmisuar cilësinë e Arsimit, formimin profesional dhe forcimin e mekanizmave të përputhjes ndërmjet ofertës dhe kërkesës në tregun e punës.
Me këtë rast drejtorët komunal kanë biseduar me punonjësit e kompanisë në fjalë rreth punës së tyre, duke e cilësuar si një eksperiencë e rëndësishme drejt hapave të karrierës së tyre.
Këto kompani janë të ndara në katër departamente, departamenti i Administratës dhe kontabilitetit, departamenti i zyrës, departamenti i terrenit, departamenti i menaxhimit të të dhënave dhe cilësisë.
Nxënësit pjesëmarrës në këtë kompani, kanë rastin që për dy javë rresht të jenë të punësuar virtual në kompani, duke ndjekur një sërë aktivitetesh për ngritje të kapaciteteve të tyre, para se të fillojnë të zbatojnë njohuritë e fituara edhe praktikisht.
Përkrahja institucionale që i është dhënë kompanive nga Komuna e Mitrovicës dhe Qendra për Punësim në Mitrovicë, është një garant që qëndrueshmëria e kompanisë dhe puna e saj të vazhdojë edhe në vitet në vijim, duke pasur parasysh që vetëm gjatë dy javëve të punës, kompania “We’re hiring n’Mitrovicë” ka arritur të gjejë mbi 700 biznese aktive që operojnë në regjionin e Mitrovicës, nga to janë kontaktuar mbi 240 sosh, prej të cilave mbi 80 kompani ofrojnë vende të lira pune dhe praktikë profesioanle.
Në total në Mitrovicë janë mbi 140 vende të lira të punës në sektor të ndryshëm që ofron tregu jonë, të cilat mund të gjinden tek platforma https://busulla.com