Pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit në mes të Komunës së Mitrovicës dhe UNICEF-it, po bëhen hapa konkretë drejt jetësimit dhe realizimit të objektivave dhe projekteve të dakorduara në mes të dy palëve.
Në këtë punëtori morën pjesë drejtori i Mirëqenies Sociale, Ramadan Beshiri, drejtoresha e Shëndetësisë, Albina Kastrati Rama, drejtoresha për Emergjenca, Fitore Mehmeti Behrami, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Asllani, zëdhënësi i Komunës, Shkëlzen Haliti, zyrtarë nga këto drejtori, si dhe nga Drejtoria e Arsimit, bashkë me përfaqësues të UNICEF-it.
Gjatë kësaj punëtorie u bë identifikimi i nevojave dhe prioriteteve të secilës drejtori, në përputhje me politikat, programet dhe fushat mbështetëse të UNICEF-it, për mbështetjen e fëmijëve, adoleshentëve, të rinjve dhe grupeve të cenueshme, duke u bërë pjesë e hartimit të planeve të përbashkëta të veprimit për jetësimin e projekteve konkrete, në fokus rininë si target-grupin kryesor, dhe duke i mbështetur ata në fushat e arsimit, mirëqenies sociale dhe shëndetësisë.


