Sot është mbajtur prezantimi publik i Planit Komunal të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë (PKEE) për vitin 2019-2021 i komunave nga Rajoni Zhvillimor Mitrovicë.
Në këtë takim ishte i pranishëm kryetari i komunës, Agim Bahtiri, drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, përfaqësuesi nga Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Bujar Sekiraqa, përfaqësuesi nga GIZI Gjerman, Maliq Pireci, shefi i sektorit për Shërbime Publike në komunën e Mitrovicës, Mehmet Bajrami.
Qëllimi i këtij takimi ishte pranim dorëzimi i kartës së Efiçiencës së Energjisë për komunën e Mitrovicës si një deklaratë e angazhimit për të përmirësuar nivelin e komforit në të gjitha ndërtesat komunale.
Përmes këtij projekti komuna e Mitrovicës synon të ndërtoj një të ardhme ku do të reduktohej lirimi i gazrave të dëmshme dhe do të minimizoheshin shpenzimet komunale me ndihmën e Efiçiencës së Energjisë dhe burimeve të ripërtritshme të energjisë.
Me këtë rast kryetari i komunës, Agim Bahtiri, falënderoi mbështetësit e këtij projekti, pasi që ndihmon shumë qytetarët e Mitrovicës, dhe përmes planit komunal për Efiçiencë të Energjisë, komuna jonë i bashkëngjitet iniciativës mbarëbotërore për energji të pastër dhe të qëndrueshme për të ardhmen.
Po ashtu kryetari Bahtiri përgëzoi iniciatorët e këtij projekti për punën e tyre e cila është shumë e vlefshme për qytetarët tanë, dhe inkurajoj ata që të punojnë vazhdimisht me projekte të tilla.
Ndërsa drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, e vlerësoi jashtëzakonisht shumë punën e komunave, përfshirë edhe komunën e Mitrovicës në hartimin e planit të veprimit për Efiçiencë të Energjisë, duke thënë se pas këtij takimi do të organizohen edhe trajnime për grupet punuese komunale për ngritjen e kapaciteteve të tyre në hartimin e propozimit të projekteve.