Ka filluar procesi i konsultimeve publike për hartimin e Buxhetit Komunal për vitet 2027–2029. Qëllimi i këtyre takimeve është përfshirja e qytetarëve në përcaktimin e prioriteteve zhvillimore të komunës dhe ndërtimi i një buxheti që i përgjigjet nevojave reale të komunitetit.
Në dëgjimin buxhetor morën pjesë Nënkryetari i Komunës, Enis Osmani, Drejtori për Buxhet dhe Financa, Gazmend Gjoshaj, zyrtarë të administratës komunale dhe një numër i konsiderueshëm qytetarësh.
Në hapje të takimit u prezantuan kufijtë buxhetorë të planifikuar për vitin 2027, duke u bërë e ditur se buxheti i përgjithshëm i Komunës për vitin 2027 është planifikuar në vlerë prej 34,045,130 euro, i ndarë sipas kategorive ekonomike si më poshtë:
Paga dhe Mëditje: 18,950,980 euro
Mallra dhe Shërbime: 5,100,000 euro
Shpenzime Komunale: 700,000 euro
Subvencione dhe Transfere: 1,294,150 euro
Investime Kapitale: 8,000,000 euro
Gjatë takimit, banorët e Koshtovës paraqitën kërkesat dhe propozimet e tyre për investime në infrastrukturë dhe shërbime publike, me theks të veçantë në rregullimin e kanalizimeve, ndërtimin e trotuareve, rehabilitimin e rrugëve dhe përmirësimin e ndriçimit publik.
Duke iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve, Nënkryetari i Komunës, Enis Osmani, theksoi se Komuna do të trajtojë me prioritet projektet më urgjente dhe se planifikimi i investimeve do të bazohet në nevojat reale të qytetarëve dhe mundësitë buxhetore.
Qytetarët e mirëpritën organizimin e këtij dëgjimi buxhetor, duke e vlerësuar atë si një mundësi të rëndësishme për të kontribuar me propozime dhe ide konkrete në procesin e hartimit të buxhetit komunal.
Komuna do të vazhdojë organizimin e dëgjimeve buxhetore edhe në lokalitetet e tjera, duke ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë dhe të japin kontributin e tyre në përcaktimin e prioriteteve për zhvillimin e komunës. Buxheti i planifikuar me pjesëmarrjen e qytetarëve është një buxhet më transparent, më gjithëpërfshirës dhe më afër nevojave të komunitetit.