Gjatë ditës së sotme, në ambientet e Komunës së Mitrovicës, u zhvillua një takim i rëndësishëm ndërmjet Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës së Mitrovicës, të përfaqësuar nga Drejtori, Mujë Igrishta, së bashku me inspektorët komunalë, përfaqësuesve të Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm, të përfaqësuar nga Gent Matoshi – zyrtar ligjor, përfaqësueses së UNDP-së, Fjolla Raifi-Luzha, si dhe ekspertit ndërkombëtar, Irakli Kotetishvili.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte diskutimi dhe avancimi i procesit për krijimin e një modeli të bazuar në rrezik për Inspektoratin Komunal. Ky model synon të përmirësojë planifikimin dhe realizimin e inspektimeve, duke mundësuar një qasje më efikase, më transparente dhe të orientuar drejt menaxhimit të rreziqeve.
Me këtë rast, Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Mujë Igrishta, theksoi se Drejtoria e Inspekcionit mbetet e përkushtuar në avancimin e mëtejmë të reformës së sistemit të inspektimit, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e nivelit qendror.
Ai njëherësh mirëpriti organizime të tilla, përfshirë punëtori dhe trajnime me ekspertë ndërkombëtarë, të cilat kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në interes të qytetarëve.
Në përmbyllje, drejtori Igrishta shprehu falënderim të veçantë, në emër të Komunës së Mitrovicës dhe të Drejtorisë së Inspekcionit, për Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm, UNDP-në dhe ekspertin e angazhuar, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm. Ai vlerësoi veçanërisht faktin që, në kuadër të këtij projekti pilot, Komuna e Mitrovicës është përzgjedhur ndër pesë komunat përfituese në Republikën e Kosovës për zbatimin e këtij modeli të ri të inspektimit të bazuar në rrezik.



