Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, sot është takuar me ish- ushtarët e KFOR-it danez, të cilët kanë ushtruar misionin e tyre paqeruajtës që nga paslufta në Kosovë.
Me këtë rast nënkryetari Mujka ka falënderuar për kontributin e tyre në qytetin e Mitrovicës, duke thënë se falë mbështetjes së parezervë të KFOR-it dhe institucioneve tjera vendore dhe ndërkombëtare, situata e sigurisë në komunën e Mitrovicës, është shumë më e mirë dhe ka shkuar drejt një stabilizimit të plotë.
“Jam krenar që jam sot me ju dhe në emrin tim personal dhe të gjithë qytetarëve të Mitrovicës ju falënderoj secilit nga ju për kontributin e dhënë në çlirimin dhe ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në qytetin tonë. Prandaj unë dhe miqtë e mi do të vazhdojmë të punojmë së bashku në mënyrë që të kemi një zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe ta përmirësojmë dukshëm cilësinë e jetës së qytetarëve dhe ndertojmë institucione shtetërore me të cilat edhe ju do të ndiheni krenarë”, tha ndër të tjerash nënkryetari Mujka.
Ndërsa njëri nga ish-ushtarët, Per Lorent Ninrichsen, tha se ndihet i lumtur që ndodhet në Kosovë e në veçanti në Mitrovicë, qytetin të cilin ai ka shërbyer gjatë misionit.
“Ne gjithmonë do të ndjejmë qytetin e Mitrovicës si shtëpi të dytë, falë ngrohtësisë së ofruar nga vetë qytetarët dhe jam shumë i lumtur që ata sot po gëzojnë lirinë dhe ndjehen të sigurt në vendin e tyre”, tha ish-ushtari Ninrichsen.
Në fund të takimit nënkryetari Mujka në shenjë falënderimi iu dhuroi nga një mirënjohje secilit nga ish- ushtarëve të KFOR-it danez për bashkëpunimin e mirëfilltë që kanë pasur gjatë kohës sa kanë vepruar në Kosovë.