Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Shëndetësi, përmbylli sot aktivitetet e Tetorit Rozë, Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit
Me një ligjëratë vetëdijësuese të mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal, me qëllim të promovimit të kontrolleve të rregullta, zbulimit të hershëm dhe rëndësisë së mbështetjes së pacientëve gjatë përballjes me sëmundjen, Drejtoria për Shëndetësi, përmbylli aktivitet të cilat janë mbajtur gjatë muajit tetor, i njohur si muaji i ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit.
Në këtë aktivitet morën pjesë drejtoresha e Shëndetësisë, Albina Kastrati Rama, drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Dr. Gëzim Berisha, drejtori i QKMF-së, Dr. Vllaznim Hoti, profesionistë shëndetësorë, përfaqësues të institucioneve shëndetësore dhe arsimore, zyrtare të policisë të Kosovës, zyrtare të administratës komunale, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe qytetare të Mitrovicës.
Ligjërues të këtij aktiviteti ishin Dr. Selman Ajvazi PhDc, kirurg torakal, dhe Ylber Nimani, magjistër i psikologjisë.
Dr. Selman Ajvazi, në ligjëratën e tij trajtoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta, zbulimit të hershëm dhe adresimit me kohë të çdo shqetësimi shëndetësor, duke u bërë thirrje grave që t’i kushtojnë kujdes të vazhdueshëm shëndetit të tyre.
Ndërsa Ylber Nimani, foli për rëndësinë e mbështetjes psikologjike për pacientët onkologjikë, duke theksuar rolin e familjes, rrethit shoqëror dhe profesionistëve në përkrahjen emocionale gjatë trajtimit.
Drejtoresha për Shëndetësi, Albina Kastrati Rama, ritheksoj se kontrollet e rregullta dhe zbulimi i hershëm janë thelbësorë për mbrojtjen e shëndetit, ndërsa falënderoj profesionistët shëndetësorë, institucionet, organizatat dhe të gjithë bashkëpunëtorët për angazhimin dhe kontributin e tyre në realizimin e aktiviteteve të Tetorit Rozë.
Për Drejtorinë për Shëndetësi, ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit nuk përfundon me muajin tetor.
Informimi, kontrollet e rregullta, zbulimi i hershëm dhe mbështetja për gratë do të jenë pjesë e vazhdueshme e angazhimit tonë për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Kujdesi për shëndetin nuk kufizohet në një muaj, ai vazhdon gjatë gjithë vitit.




