Drejtori për Planifikim dhe Urbanizëm, z.Ardian Kavaja, së bashku me znj.Sebahate Tahiri, udhëheqëse e Njësitit të Implementimit të Projektit të Banimit Social Adekuat, pritën në takim përfaqësuesit e Njësitit për Menaxhimin e Projektit nga MMPHI.
Gjatë takimit u pranua raporti i vlerësimit, përmes të cilit Komuna e Mitrovicës së Jugut përfiton mbi 2 milionë euro për implementimin e Projektit të Banimit Social Adekuat, i cili përfshin ndërtimin e njësive të reja të banimit social, renovimin e objekteve ekzistuese, si dhe rindërtimin dhe renovimin e shtëpive për familjet e cenueshme.
Po ashtu, u diskutua mundësia e përfitimit të projekteve shtesë, veçanërisht për rindërtimin dhe renovimin e njësive të banimit në disa ndërtesa të vjetra në Tunel të Parë, me qëllim përmirësimin e kushteve të banimit për banorët.
Në përmbyllje, përfaqësuesit e Komunës falënderuan MMPHI-në për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa pas takimit u realizua edhe një vizitë në terren për të parë nga afër objektet dhe parcelat përkatëse.