Kryetari Bahtiri nënshkroi kontratat për bursa për 52 studentë
Në sallën e Kuvendit Komunal, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot ka nënshkruar kontratat për bursa për 52 studentë për vitin akademik 2019/2020.
Me rastin e nënshkrimit të kontratave ishin të pranishëm edhe nënkryetari, Faruk Mujka, dhe drejtoresha e Administratës, Valmire Sylejmani.
Në fjalën e tij ,kryetari Bahtiri, tha para studentëve se ndjehet krenar si kryetar komune, sepse të gjithë studentët që i plotësuan kriteret, kanë përfituar këto bursa si një mbështetje financiare duke i lehtësuar sadopak familjet dhe studentët në këtë aspekt në mënyrë që studentët të fokusohen sa me shumë në aspektin e studimeve, drejt realizimit të qëllimeve dhe aspiratave të tyre.
“Është kënaqësi e veçantë që jam sot në mesin tuaj, dhe unë çdoherë do të jem mbështetës i njerëzve të cilët e duan vendin e tyre dhe ju këtë jeni duke e dëshmuar me suksesin tuaj pasi që keni arritur të jeni përfitues të bursave komunale dhe jeni studentë të dalluar, jeni ardhmëria e qytetit tonë dhe sigurisht përpos ngritjes profesionale, nesër edhe ndonjëri prej jush do të jetë në pozita udhëheqëse si në aspektin e nivelit lokal ashtu edhe në atë qendror, në fushat e ndryshme. Andaj ju inkurajoj që të mësoni e studioni për të ngritur diturinë tuaj që në të ardhmen të bëheni profesionistë të vërtetë”, ju tha kryetari Bahtiri.
Pas nënshkrimit të kontratës, studentët janë shprehur të jenë të kënaqur me ndarjen e këtyre bursave. Disa nga ata janë shprehur të jenë mirënjohës për mbështetjen që komuna po iu ofron, si një motiv shtesë për të vazhduar studimet dhe një lehtësim financiar për familjet e tyre.