Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka mbajtur një takim informues me përfaqësuesit nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), Ngadhnjim Halilaj dhe Asdren Osaj, me qëllim për të promovuar një qeverisje të mirë lokale përmes platformës “Qeverisjes së mirë”.
Me këtë rast të pranishmit kanë biseduar për një bashkëpunim më të mirëfilltë i cili ka synimin e një qeverisje të mirë si dhe pjesëmarrje të qytetarëve në vendimmarrje.
Kryetari Bahtiri, u shprehu mirëseardhje përfaqësuesve nga kjo organizate, me ç’rast tha se komuna e Mitrovicës është mirënjohëse ndaj kësaj iniciative.
Përfaqësuesit e kësaj organizate e njoftuan kryetarin Bahtiri, më gjerësisht lidhur me synimin kryesor të këtij projekti ku theksuan më pas se në kuadër të këtij projekti do të trajtohen temat si sfidat e menaxhimit të institucionit, pengesat gjatë ushtrimit të detyrës se kryetarit, raporti me Kuvendin Komunal, raporti me institucionet qendror, sfidat buxhetore të komunës, si dhe planet e punës për sektor specifik, veçmas për rini dhe gra.
Ata u shprehën të gatshëm për rëndësinë e zbatimit të parimeve të qeverisjes së mirë në funksion të arritjes së rezultateve të mira të qeverisjeve lokale në komunën e Mitrovicës.
Po ashtu në këtë takim u diskutua edhe për rëndësinë e informimit të saktë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e të zgjedhurit të tyre politikë, si dhe për standardet që duhet t’i përmbahen gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, në mënyrë që të jenë në gjendje të mbajnë ata llogaridhënës.
Gjithashtu u tha se të dhënat të cilat do të përmblidhen gjatë procesit do të publikohen në mënyrë të veçantë ku do të prezantohen sfidat që hasin kryetarët e komunave gjatë ushtrimit të mandatit të kryetarit.