Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, së bashku me nënkryetarin Enis Osmani, kanë vizituar sot Kalludrën e Zubin Potokut, ku po zhvillohen gërmime në kërkim të trupave të personave të pagjetur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kryetari Peci, ka reaguar për çështjen e të pagjeturve dhe krimeve të luftës, duke theksuar se Kosova ende i ka varret e hapura dhe plagët e luftës që vazhdojnë të kullojnë.
Peci ka nënvizuar se, edhe pas më shumë se dy dekadash, Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera, ndërsa Mitrovica, sipas tij, e ka paguar çmimin më të larta të lirisë.
Duke iu referuar veriut të Kosovës, kryetari Peci ka theksuar se gjurmët e pranisë dhe historisë shqiptare në këto troje dëshmohen edhe përmes varrezave.
“Por të vërtetën nuk e fsheh asgjë. Gjaku nuk humbet, e as dheu nuk lejon mbulimin e krimit”, ka shkruar Peci.
Ai ka kujtuar edhe vuajtjen e familjarëve të personave të pagjetur, të cilët për afër tri dekada kanë jetuar mes pritjes, dhimbjes dhe kërkimit, duke ruajtur shpresën se një ditë do të mund të vendosin lule mbi varret e më të dashurve të tyre.
