Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të burrështetasit, intelektualit dhe disidentit Eqrem Kryeziu.
Në një reagim të tij, kryetari Peci e ka vlerësuar Eqrem Kryeziun si një personalitet të rrallë, i cili i shërbeu vendit pareshtur me dije, dinjitet dhe guxim.
“Sot Kosova humbi burrështetasin Eqrem Kryeziu. Ai ishte intelektual i shquar, disident, patriot e vizionar që rrallëkund mund të gjendet. Figura e tij do të mbahet në mend si një ndër personalitetet që i shërbeu vendit pareshtur, me dije, dinjitet e guxim”, ka shkruar Peci.
Duke kujtuar kontributin e tij në jetën publike dhe institucionale të vendit, Peci ka theksuar se Kryeziu ishte një nga figurat më të respektuara të kohës së tij.
“Prizreni, prej nga vjen Eqa, ishte një prej qendrave më të rëndësishme kulturore që pati fatin ta kishte kryetar, ndërsa institucionet e Kosovës ta kishin në gjirin e tyre. Ai vlerësohej si një ndër më të diturit e më të ngriturit në mesin e të gjithëve në LDK si lëvizje popullore, pas Ibrahim Rugovës”, ka thënë ai.
Kryetari Peci ka ndarë edhe një kujtim personal nga takimi i parë me Eqrem Kryeziun, në vitin 2007.
“Në vitin 2007, pas një fjalimi që mbajta, e kujtoj ballafaqimin e parë me Eqën, i cili më tha: ‘Nga vogëlsia ime po t’i them ca fjalë: Mbahu idealit, parimeve dhe guximit, kështu si sot, për jetë e mot’”, ka kujtuar Peci.
Në fund të telegramit të ngushëllimit, kryetari Peci i është drejtuar me fjalë prekëse Eqrem Kryeziut:
“Eqë, ti e din që në jo pak raste gjuha nuk mjafton me e shpreh ndjenjën për krejt çka thashë unë për ty, e për krejt këto që thashë, qitma 1-sh. Pusho i qetë, i madhi Eqë!”