Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës, kryetari Faton Peci ka kujtuar sakrificën e brezave të tërë për liri dhe kontributin vendimtar të aleatëve ndërkombëtarë në çlirimin e vendit.
Ai theksoi se 12 qershori i vitit 1999 mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e Kosovës, duke simbolizuar fundin e vuajtjeve dhe realizimin e aspiratave shekullore për liri e pavarësi.
Peci shprehu mirënjohje të përhershme për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sakrifikuan jetën për atdheun, si dhe për aleatët e NATO-s që mbështetën popullin e Kosovës në rrugën drejt çlirimit.
“U jemi përjetësisht mirënjohës dëshmorëve të UÇK-së, që ia falën jetën atdheut, dhe aleatëve tanë të NATO-s, që na mbështetën në kauzën për çlirim”, ka deklaruar ai.
Në fund të mesazhit të tij, kryetari Peci uroi të gjithë qytetarët me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.