Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka pritur në zyrën e tij punonjësin shumëvjeçar të administratës komunale, Mexhit Beka, me rastin e pensionimit të tij.
Me këtë rast, kryetari Peci e vlerësoi lart kontributin e Bekës ndër vite, duke e cilësuar atë si një nga punonjësit më të dalluar dhe një memorie institucionale të qytetit të Mitrovicës.
Sipas tij, Mexhit Beka që nga vitet ’90 ka qenë i angazhuar në shërbim të vendit, fillimisht në aktivitetin politik, ndërsa nga viti 2000 në administratën publike, ku ka punuar me përkushtim, ndershmëri dhe patriotizëm.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë, kryetari i ndau një mirënjohje simbolike, ndërsa gjatë takimit kujtuan me nostalgji vitet e punës dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm në shërbim të qytetarëve.
“Punën në administratën publike duhet ta bëjnë njerëzit që e duan vendin, e i tillë ishte Mexhiti”, është shprehur kryetari Peci.
Në fund, ai i uroi Mexhit Bekës shëndet të plotë dhe pensionim të mbarë, duke e falënderuar për të gjithë kontributin e dhënë ndër vite.