Nën drejtimin e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, dhe në prani të nënkryetarit të Komunës, Enis Osmani, anëtarëve të Kuvendit dhe drejtorëve të drejtorive komunale, sot është mbajtur mbledhje urgjente e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës.
Në këtë seancë është shqyrtuar dhe miratuar Deklarata e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës lidhur me aktgjykimin e padrejtë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Kuvendi i Komunës së Mitrovicës, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit, shpreh mospajtimin e tij të thellë me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të datës 16 shtator 2026, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kuvendi i Komunës rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte vazhdimësi e luftës për liri dhe çlirim, e lindur nga rrethanat e rënda të represionit, dhunës, vrasjeve dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës.
Kuvendi konsideron se, për një dënim penal të kësaj peshe, përgjegjësia personale e secilit të akuzuar duhet të provohet me prova të qarta, konkrete, bindëse dhe përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Kuvendi i Komunës shpreh solidaritet me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, si dhe me të gjithë ata që këtë proces e kanë përjetuar me dhimbje dhe shqetësim.
U bënë thirrje qytetarëve të Mitrovicës dhe të gjithë Kosovës që, përkundër dhimbjes dhe emocioneve të forta, të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin, duke shprehur qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore dhe institucionale.
Duke pasur parasysh se vendimi u shpall me formulimin “Në emër të popullit të Kosovës”, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Jugut përcjell qartë mesazhin e qytetarëve të saj:
“JO NË EMRIN TIM!”
Më poshtë mund ta gjeni deklaratën e plotë.






