Nën drejtimin e kryesueses së Kuvendit Komunal, Vesa Broja, dhe në prani të kryetarit të Komunës, Bedri Hamza, si dhe anëtarëve të Kuvendit, u mbajt Seanca e 40-të e rregullt e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Në hapje të mbledhjes, kryesuesja Broja ftoi përfaqësuesit e partive politike për një konsultë të përbashkët lidhur me konstatimin e nxjerrë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i cili ka të bëjë me aprovimin e “Hartës Zonale Komunale të Mitrovicës së Jugut 2023-2031”. MAPL konstatoi se vlerësimi i mëhershëm për mos miratimin e kësaj harte ishte i gabuar, pasi numri i votave në seancën paraprake ka qenë i mjaftueshëm për miratimin e saj.
Pas korrigjimit të procesverbalit nga mbledhja e kaluar, Kuvendi miratoi zyrtarisht edhe Hartën Zonale.
Seanca vazhdoi me shqyrtimin dhe miratimin e rendit të ditës me këto pika: Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së rregullt të Kuvendit të Komunës, të datës 28.04.2025; Korniza Afatmesme Buxhetore 2026-2028; Informata nga Qarkorja Buxhetore 2026/1; Propozim vendimi për zëvendësimin e anëtarit të Komisionit të Aksionarëve në KRM “Uniteti”; Propozim vendimi për zëvendësimin e anëtarit të Komisionit për shqyrtimin e ankesave në procedurën e përzgjedhjes së Bordit të Drejtorëve në Ndërmarrje Publike; Propozim vendimi për zëvendësimin e një anëtari tjetër në të njëjtin komision të ankesave; Propozim vendimi për zëvendësimin e anëtarit të ri të Komisionit për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet edukativo-arsimore; Raporti i punës së Kryetarit të Komunës për vitin 2024; Raporti financiar për periudhën janar–mars 2025.