Drejtoria për Buxhet dhe Financa ka mbajtur dëgjimin e katërt publik për planifikimin e Buxhetit Komunal për vitet 2027–2029, në ShFMU “Bislim Imeri” në fshatin Kçiq i Madh.
Në këtë takim morën pjesë Drejtori për Buxhet dhe Financa, Gazmend Gjoshaj, Zyrtari Kryesor Financiar, Zenel Çitaku, zyrtarë të kësaj drejtorie, qytetarë dhe grupe të interesit, të cilët paraqitën kërkesat, idetë dhe propozimet e tyre për projektet prioritare që duhet të përfshihen në buxhetin komunal.
Gjatë dëgjimit u prezantua edhe projektbuxheti për vitin 2027, i planifikuar në vlerë prej 34,045,130 euro, i ndarë sipas kategorive ekonomike: paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime, shpenzime komunale, subvencione dhe transfere, si dhe investime kapitale.
Diskutimet u fokusuan në nevojat e lokaliteteve, me theks të veçantë në infrastrukturë, shërbime publike dhe projekte të tjera me interes për banorët.
Komuna e Mitrovicës mbetet e përkushtuar që përmes dëgjimeve publike të sigurojë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës të planifikimit buxhetor, duke i përfshirë qytetarët në përcaktimin e prioriteteve zhvillimore dhe në ndërtimin e një buxheti që i përgjigjet nevojave të komunitetit.

