Në sallën e Kuvendit Komunal është mbajtur dëgjimi i parë buxhetor me kryetarët e lagjeve dhe fshatrave, në kuadër të procesit të planifikimit të buxhetit për vitin 2026.
Takimi u kryesua nga Zyrtari Kryesor Financiar, z. Zenel Çitaku, i cili prezantoi para të pranishmëve projeksionet fillestare të buxhetit për vitin 2026, si dhe parashikimet për vitet në vijim, 2027 dhe 2028. Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së komunitetit në këtë proces dhe ftoi përfaqësuesit lokalë që të ndajnë nevojat dhe prioritetet e tyre.
Gjatë diskutimeve, kryetarët e lagjeve dhe fshatrave morën pjesë aktive, duke paraqitur kërkesat konkrete të komuniteteve që përfaqësojnë, me theks të veçantë në investimet infrastrukturore, përmirësimin e shërbimeve publike dhe nevojat emergjente të lokaliteteve që ata përfaqësojnë.
Drejtoria për Buxhet dhe Financa theksoi përkushtimin për të adresuar të gjitha kërkesat e pranuara në bashkëpunim të ngushtë me drejtoritë përkatëse, me qëllim të ndërtimit të një plani financiar të qëndrueshëm dhe në shërbim të qytetarëve.